Partizani fitoi minimalisht ditën e djeshme kundër Apolonisë duke u kualifikuar në turin çerekfinal të Kupës së Shqipërisë. Trajneri Ilir Daja, në prononcimin për mediat u shpreh i kënaqur nga rezultati që arriti ekipi, pasi në të tilla ndeshje i rëndësishëm është kualifikimi.
“Sigurisht, është shumë i rëndësishëm fakti që u kualifikuan sepse kishim përballë një ekip të Superiores, me të cilin kemi ndeshje edhe pas dy javësh. Në Kupë është e rëndësishme të kalosh turin. Ne e kemi objektin edhe Kupën sepse në pak ndeshje mund të bësh të mundur të zësh një vend në Kupat e Europës. Sot nuk kishim kontingjentin e kompletuar, pasi mungonte Hoxha. Sigurisht Teqja bëri një paraqitje shumë të mirë, por ai është kapiteni i ekipit. Kishim edhe mungesën e dy lojtarëve, që janë shumë të rëndësishëm për ne, Asanit dhe Malës, por sigurisht që pjesa tjetër e grupit i mbuloi hapësirat. Kemi bërë një pjesë të parë shumë të mirë dhe kishim mundësi të dyfishonim rezultatin, por në fund quhet objektiv i arrirë në momentin që kualifikohesh për më tej”, u shpreh Daja.
